/ Lexuar:

294

Avokate Cena Strezoska: Për pasionin për të drejtën

"Nuk mund të paramendoj të punoj çfarëdo lloj profesioni tjetër që nuk është i lidhur me të drejtën."

Për të drejtën flisni me dashuri shumë të madhe. Kur ju lindi dashuria për të drejtën?

Se kur lindi për herë të parë dashuria ime për të drejtën nuk mund t’ua them saktësisht, ndoshta në periudhën e shkollës së mesme, atëherë kur duhej të bëja zgjedhjen e profesionit tim të ardhshëm. Fakti që jam person komunikues, si dhe dashuria që kam për shkencat shoqërore duket se ma trasuan rrugën për të zgjedhur Fakultetin Juridik, e me këtë edhe profesionin si juriste në të ardhmen. Nga pikëpamja e sotme konsideroj se zgjedhjen qe e kam bërë ka qenë e drejtë, sepse nuk mund të paramendoj të punoj çfarëdo lloj profesioni tjetër që nuk është i lidhur me të drejtën.

Çfarë ju shtyu që të hapni zyre personale të avokatisë?

Vendimi për hapje të zyrës së avokatisë nuk ishte as i lehtë e as i shpejtë. Pas përvojës 12 vjeçare, prej të cilave 6 vite punë në dy zyre të noterëve dhe 6 vite si juriste në një kompani hotelerie, vendosa se është koha të marr këtë hap. Në këtë moment konsideroj se vendimin për hapje të zyrës personale të avokatisë e mora në kohën e duhur, se nuk ishte vendim i ngutshëm dhe se është zgjedhje e duhur. Konsideroj se me punën time mund të jap dhe po jap kontributin tim në avancimin e këtij profesioni.

Jetoni dhe punoni në Ohër. Si është të jesh avokat në Ohër?

Të jesh avokat në Ohër me të vërtetë është sfidë e madhe sepse ka një konkurrencë të madhe. Bëhet fjalë për një qytet të vogël në të cilin ka një numër të madh të avokatëve. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për qytet të vogël, pothuajse nuk ekziston mundësia që të punohet vetëm një pjesë e të drejtës. Në punën time të deritanishme pjesa më e madhe e lëndëve që i punoj janë nga fusha e të drejtës civile. Dua të cek se, edhe përskaj konkurrencës së madhe, përsëri ekziston kolegjialiteti mes avokatëve në Ohër dhe nuk do të doja të veçoj askënd posaçërisht që të mos harroj dikë, megjithatë nga hapja e zyrës së avokatisë e deri më sot të gjithë avokatët që një kohë më të gjatë janë në këtë profesion, e të cilëve u jam drejtuar për këshillë ose për çfarëdo qoftë ndihme kanë ndarë përvojën e tyre në mënyrë altruiste, për çka u jam shumë falënderuese.

Çfarë këshille do t’i jepnit kolegëve tuaj të rinj?

Kolegët e rinj do t’i këshilloja që të mos heqin dorë dhe vazhdimisht t’i ndjekin risitë që kanë të bëjnë me të drejtën, si dhe zhvillimin e teknologjisë, sepse kjo e lehtëson shumë procesin e punës.