Avokati i Popullit propozon Ligj të ri për mbrojtjen nga shqetësimi në vend të punës
Nevojiten ndryshime ligjore të menjëhershme
Është e nevojshme që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale menjëherë të fillojë me përgatitjen dhe sjelljen e një ligji të ri gjithëpërfshirës për mbrojtjen nga shqetësimet në vend të punës, i cili tërësisht dhe realisht do të mundësojë mbrojtje të punëtorit nga çfarëdo lloj forme e shqetësimit, propozoi Avokati i Popullit.
Pjesa më e madhe e parashtresave te Avokati i Popullit lidhur me diskriminimin, kanë të bëjnë pikërisht me shqetësimet në vend të punës – mobing. Sipas avokatit të popullit, e gjithë kjo vjen si pasojë e zgjidhjeve ligjore jocilësore që i ofron ligji referues dhe për këtë arsye nevojiten ndryshime ligjore të menjëhershme.
Sipas të dhënave të avokatit, nga parashtresat e arritura për diskriminim dhe ato që janë hapur me vetiniciativë, pjesa më e madhe e tyre, 22 parashtresa, janë në sferën punë dhe marrëdhënie pune.
Gjatë vitit 2021, te Avokati i Popullit janë dorëzuar 43 parashtresa, të cilat përveçse për mobingun kanë të bëjnë edhe me qasjen deri te të mirat dhe shërbimet, gjyqësorin dhe administratën, banimin, arsimin, shkencën dhe sportin dhe me sigurinë sociale dhe informimin publik dhe mediumet.
Ndalimi në Ligjin për mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës
Në ligjin ekzistues, Ligjin për mbrojtjen nga shqetësimi në vendin e punës ndalohet çdo lloj shqetësimi në vend të punës, si dhe keqpërdorimi i të drejtave të shqetësimit në vendin e punës.
Qëllimi i Ligjit është pengimi dhe mbrojtja nga shqetësimi psikik dhe gjinor në vend të punës, përkatësisht për vendin e punës dhe sigurimi i, siç parashihet edhe me ligj, ambientit të shëndoshë të punës.
“Ndalohet çdo lloj i shqetësimit në vend të punës, si dhe keqpërdorimi i të drejtave të shqetësimit në vendin e punës”, parashihet me këtë ligj.
Shqetësim psikik në vend të punës, sipas këtij ligji, është çdo lloj sjellje negative nga individ ose grup, që përsëritet vazhdimisht dhe sistematikisht. Kjo paraqet cenim të dinjitetit, integritetit, prestigjit dhe nderit të të punësuarit dhe shkakton ndjenjë të frikës ose krijon pakënaqësi, nënçmim, qëllimi përfundimtar i të cilit mund të jetë cenimi i shëndetit fizik dhe mental, komprometimi i ardhmërisë profesionale të të punësuarit, ndërprerja e marrëdhënies së punës ose braktisja e vendit të punës.
Shqetësim gjinor, sipas këtij ligji, është çdo sjellje verbale, joverbale ose fizike me karakter gjinor, që ka për qëllim ose paraqet cenim të dinjitetit të kandidatit për punësim ose të të punësuarit, e që shkakton ndjenjë të frikës ose krijon pakënaqësi dhe nënçmim.
Ndalimi dhe mbrojtja nga shqetësimi në vend të punës është rregulluar edhe me Ligjin për marrëdhëniet e punës, me të cilin përcaktohet se është i ndaluar çdo lloj i shqetësimit psikik në vend të punës.
Shkelje të shumta të të drejtave në marrëdhëniet e punës
Përveç shqetësimit në vend të punës, si shkelje dhe rrezikim i të drejtave njerëzore dhe të drejtave të punëtorit, Avokati i Popullit në Raportin vjetor konstaton edhe shkelje të shumta të Ligjit për marrëdhëniet e punës, përkatësisht të të drejtave në marrëdhëniet e punës.
Në këtë drejtim, Avokati i Popullit tregon se numri më i madh i parashtresave nga sfera e marrëdhënieve të punës kanë të bëjnë me procedurat për të drejtat në marrëdhëniet e punës në administratën publike, pastaj procedurat për punësim, për pagesën e pagave dhe kontributeve tjera, procedurat disiplinore të ngritura ndaj të punësuarve, procedurat te subjektet private.
“Ngritja e pabazë e procedurës disiplinore, e drejta e pushimit vjetor, sistemimi në vend pune më të ulët, mosrespektimi i dispozitave ligjore gjatë avancimit, janë shkeljet më të shpeshta të të drejtave për të cilat tregojnë të punësuarit në administratën publike”, konstaton Avokati i Popullit.