/ Lexuar:

324

Bajden nënshkroi ligjin sipas të cilit linçimi bëhet akt kriminal federal

Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden, mbrëmë nënshkroi ligj historik sipas të cilit linçimi në SHBA do të konsiderohet si akt kriminal që do të ndiqet në nivel federal.

Me nënshkrimin e Ligjit kundër linçimit “Emmett Till”, për herë të parë në historinë e SHBA-së linçimi bëhet akt kriminal shtetëror, e ky ligj i ri vjen pas më shumë se 200 tentimeve në Kongres që të dorëzohet dhe të miratohet ligj federal kundër linçimit.

Mosekzistimi i këtij ligji deri më tani ka mundësuar që një shumicë e kryerësve të mbeten pa u dënuar. Bëhet fjalë për pothuajse 6.500 raste të dokumentuara të terrorit racist të linçimit të kryera në periudhën midis viteve 1865-1950.

Sipas ligjit të ri, krimi në të cilin rezultati është vdekje ose lëndime të rënda trupore si pasojë e krimit të bazuar në urrejtje mund të ndiqet penalisht si linçim.

Kryerësi i dënuar do të ballafaqohet me 30 vjet dënim me burg.

Ligji është emëruar për nderë të Emmett Till, djalit 14 vjeçar afroamerikan, tortura brutale dhe vrasja e të cilit në vitin 1955 në Misisipi e nxiti lëvizjen e qytetarëve në SHBA për luftë për më shumë të drejta për afroamerikanët.