/ Lexuar:

301

Intervistë me Besa Ademin, kryetare e Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Znj. Ademi, pothuajse gjithë karrierën Tuaj e keni kaluar në gjyqësor. Sipas Jush, cili është faktori kyç i pavarësisë së një gjykatësi dhe i pavarësisë së gjyqësorit në përgjithësi?

Zhvillimi im profesional dhe karriera në gjyqësor fillon prej më shumë se 30 vitesh. Në fillim si praktikante-vullnetare në Gjykatën e atëhershme të Qarkut të Shkupit, e deri tani si gjykatëse në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Duke u nisur nga përvoja ime shumëvjeçare si gjykatëse, shpesh e theksoj se ekzistojnë dy faktorë kyç për pavarësinë e gjykatësve dhe pavarësisë së gjyqësorit në përgjithësi. Ato janë njohuria profesionale dhe integriteti personal.

Është veçanërisht i rëndësishëm integriteti personal i gjykatësit, ngase njohuria profesionale e problematikës e humb kuptimin e vet dhe qëllimin nëse nuk ekziston etika. Përmes shembullit të tij personal secili gjyqtarë e ruan reputacionin e gjyqësorit dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe njëkohësisht e përforcon besimin te qytetarët. Integriteti i gjykatësit është garanci më e fortë se ai nuk do t’i nënshtrohet shtypjeve dhe ndikimeve të çfarëdo lloj natyre dhe se do të veprojë në mënyrë të drejtë dhe ligjore në interes të drejtësisë, por edhe se do të veprojë në mënyrë profesionale në emër të qytetarëve.

Pavarësia e gjyqësorit është parim sipas të cilit pushteti gjyqësor ushtrohet i liruar nga ndikimet dhe shtypjet e jashtme nga ana e bartësve të pushtetit ligjor dhe ekzekutiv, ose nga subjekte dhe persona të tjerë juridik.

Gjykatësit, siç thotë edhe një maksimë e vjetër romake, e kanë për obligim gjithmonë të mbahen për të drejtën dhe të vërtetën. Zbatimi i paanshëm i drejtësisë dhe rregullave, gjykimi i drejtë, përparimi i të drejtave të njeriut, barazia para ligjeve dhe siguria juridike e bazuar mbi sundimin e të drejtës janë parime themelore të çdo gjyqësori të pavarur dhe të çdo shteti juridik të pavarur.

Këto parime nuk guxojnë të jenë vetëm parime të shënuara deklarative, por duhet të jenë praktikë e gjallë, mënyrë e sjelljes dhe veprimit, standard i fortë në funksionimin e gjyqësorit.

Cilat janë risitë më të rëndësishme në punën e Gjykatës Supreme në periudhën e kaluar dhe çka thonë të dhënat nga Raporti për punën e gjykatës?

Sipas të dhënave për punën nga viti raportues 2021, Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe përskaj numrit të zvogëluar të gjyqtarëve dhe nevojës për kuadër profesional, është gjykatë efikase. Ky vit ka filluar me 943 lëndë të pazgjidhura nga viti 2020, ndërsa gjatë vitit janë pranuar edhe 2126 lëndë të reja. Nga numri i përgjithshëm janë zgjidhur 2142 lëndë. Në vitin raportues Gjykata Supreme e menaxhoi në tërësi grumbullimin e lëndëve të reja.

Gjithashtu, Gjykata Supreme, në kuadër të kompetencave të saj për unitetin e zbatimit të ligjeve dhe unifikimin e zbatimit të praktikës gjyqësore, ka mbajtur 27 seanca të përgjithshme, në të cilat janë shqyrtuar dhe miratuar vendime për mbi 30 iniciativa për përcaktimin e qëndrimeve parimore dhe mendimeve juridike parimore. Gjykata ka dhënë mendim për propozim-ligje, ka miratuar program për punë, dhe i ka shqyrtuar dhe miratuar raportet dhe vendimet për punën e gjykatave, ka vendosur për ankesa dhe kundërshtime dhe ka realizuar një sërë aktivitetesh tjera nga fushëveprimi i kompetencave të Gjykatës Supreme.

Po ashtu, në periudhën e kaluar Gjykata Supreme iu përkushtua disa çështjeve më të rëndësishme, veçanërisht në pjesën e punës së gjykatës, efikasitetit, transparencës dhe përforcimit të besimit në gjyqësor. Këto aktivitete të gjykatës rezultuan me shumë risi të rëndësishme.

Me fjalë të tjera, Gjykata Supreme e miratoi Rregulloren e re të punës së gjykatës, e cila paraqet një akt modern në të cilin janë inkorporuar dispozita sipas modelit të punës së Gjykatë Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Miratimi i Rregullores, e cila veç më po zbatohet, ka për qëllim ta avancojë efikasitetin në punë dhe të sigurojë kryerje të funksionit në mënyrë ligjore, të pavarur dhe në afat të arsyeshëm. Ajo që është shumë e rëndësishme në aspekt të interesit të qytetarëve është se Rregullorja siguron realizim të papenguar të të drejtave të palëve.

Gjithashtu, përskaj ndryshimeve në kontekst të efikasitet në punë, Rregullorja bartë ndryshime edhe në pjesën e transparencës, veçanërisht në aspekt të publikimit të konkluzioneve nga seancat e përgjithshme, të cilat duhet të kenë strukturë të unifikuar të tekstit.

Orari vjetor për punën e gjykatave në mënyrë transparente është publikuar për publikun, rregullisht publikohen vendimet dhe shpalljet për punë dhe aktivitetet e gjykatës. Bashkëpunimi me mediet dhe me organizatat e qytetarëve është ngritur në një nivel më të lartë. Zyra për marrëdhënie me publikun, të cilën profesionalisht e përforcuam me zëdhënës, përveç se me gazetarët, në komunikim të vazhdueshëm është edhe me qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre.

Gjithashtu, një risi shumë e rëndësishme në këtë periudhë është se në Gjykatën Supreme u formua Këshilli për gjyqësor të hapur dhe u nënshkrua Deklaratë për gjyqësor të hapur. Me këtë Gjykata Supreme është bartësi i parë i pushtetit gjyqësor në Evropë që i bashkohet Iniciativës Globale Partneriteti për Qeverisje të Hapur.

Cilat janë angazhimet e Këshillit për gjyqësor të hapur?

Roli esencial i gjyqësorit të hapur si koncept në përgjithësi nënkupton afrimin e punës së gjyqësorit deri te vet qytetarët, që nga ana tjetër, reflektohet edhe në atë që quhet kualitet i drejtësisë.

Konkretisht, angazhimi i Këshillit për gjyqësor të hapur është që të avancohet transparenca e gjykatave dhe të ritet besimi te qytetarët, por edhe të shërbejë si mekanizëm për përmirësimin e statusit të gjyqësorit përmes respektimit të plotë të principit të pavarësisë.

Angazhim tjetër është që përmes Këshillit për gjyqësor të hapur të nxitet transparenca në punën e gjykatave dhe institucioneve gjyqësore dhe të nxitet pjesëmarrja e shoqërisë civile në zbatimin dhe ndjekjen e iniciativës Gjyqësor i hapur në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Një nga qëllimet kryesore të Këshillit, ashtu siç edhe thuhet në Deklaratën për gjyqësor të hapur, e cila u nënshkrua në Gjykatën Supreme, është edhe promovimi për qasje dhe transparencë të rritur të informatave për punë të gjyqësorit, lehtësimi i qasjes deri te informacionet për gjyqësorin, si dhe avancimi i infrastrukturës informatike në organet gjyqësore.

Duhet të theksohet se edhe ideja për gjyqësor të hapur, përveç se nënkupton afrimin e gjyqësorit deri tek publiku dhe qytetarët, nënkupton edhe përforcim të pavarësisë në pushtetin gjyqësor, por edhe dhënie të kontributit në bashkëpunimin e tre pushteteve.

Gjykata Supreme është aktive në planin ndërkombëtar. Si e shohin gjyqësorin maqedonas kolegët tuaj të vendeve dhe organizatave tjera?

Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar kishte shumë aktivitete në planin rajonal dhe ndërkombëtar. Kemi realizuar takime me shumë gjykata supreme nga rajoni. Gjithashtu, gjykatësit dhe kuadri profesional kanë marr pjesë në shumë konferenca të cilat kishin për qëllim përforcimin e bashkëpunimit të ndërmjetëm, avancimin e  punës së gjykatave dhe shkëmbimin e përvojave dhe mendimeve të karakterit edukativ dhe profesional.

Gjithashtu, Gjykata Supreme ishte nikoqire e Konferencës rajonale për zbatimin e Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe të drejtën e gjykimit në afat të arsyeshëm, e organizuar në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Unionin Evropian.

Padyshim, këto ngjarje ndërkombëtare janë një kontribut i madh në shkëmbimin e qëndrimeve për pavarësinë e gjyqësorit si bazë për sundimin e të drejtës, e që, prapë, janë në drejtim të përpjekjeve për intensifikimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar si moment i rëndësishëm në afrimin drejt standardeve dhe praktikave evropiane.

Kolegët e vendeve tjera i vërejnë proceset reformuese në gjyqësorin maqedonas dhe i mirëpresin përpjekjet e Gjykatës Supreme në këtë drejtim. Kjo u theksua edhe në Konferencën e kryetarëve të gjykatave supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilët e vlerësuan pozitivisht punën e Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Qëndrim të njëjtë kishte edhe kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Robert Spano, i cili kishte vizitën e parë zyrtare në Gjykatën Supreme kah fundi i vitit të kaluar. Ai iu drejtua me fjalë lavdëruese Gjykatës Supreme dhe shprehu mirënjohje për zbatimin konsekuent të standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në punën e gjykatës.

Gjithashtu, inkurajuese janë vlerësimet e Unionit Evropian, gjegjësisht ambasadorit të UE-së, Dejvid Gir, i cili tha se Gjykata Supreme është shembull i një rrëfimi të suksesshëm.

Qëndrime dhe konkluzione të këtilla për punën e Gjykatës Supreme si gjykatë më e lartë në Republikë për ne paraqet inkurajim të madh dhe ndihmë të rëndësishme për realizimin e përpjekjeve dhe qëllimeve tona, për të cilat edhe më tej, siç kemi bërë deri tani, do të jemi shumë të përkushtuar.