/ Lexuar:

314

Intervistë me drejtorin e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Imer Aliu, lidhur me zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale

Zoti Aliu, Mbrojtja e të dhënave personale është çështje që në nivel botëror merret shumë seriozisht. A mendoni se qytetarët e Maqedonisë kanë njohuri për të drejtat e tyre që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave të tyre personale?

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është organ mbikëqyrës i pavarur që bën përpjekjet maksimale që mbrojtja e të dhënave personale të jetë parim i pranueshëm nga ana e të gjithë atyre që mbledhin të dhëna. Qëllimi kryesor është që të mbrohen të drejtat themelore të qytetarëve tanë. Agjencia vazhdimisht punon për informimin e qytetarëve dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për të drejtën e privatësisë të personave fizik në raport me përpunimin e të dhënave personale të tyre. Agjencia mban trajnime për mbrojtjen e të dhënave personale dhe në ueb-faqen tonë vazhdimisht publikohen udhëzime dhe e-tutoriale përmes të cilave qytetarët marrin informacione, njohuri dhe aftësohen për atë se si të mbrohen ata vet si qytetarë. Interesimi i qytetarëve lidhur me të drejtat e tyre gjithmonë ka qenë i lartë, dhe kjo shihet përmes numrit të pyetjeve dhe parashtresave që vazhdimisht arrijnë në Agjenci. Por, më duhet të theksoj se me sjelljen e Ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale dukshëm është rritur numri i qytetarëve të interesuar. Aktualiteti i ligjit dhe përpjekjet e vazhdueshme të Agjencisë që t’i njoftojë qytetarët për rëndësinë e materies për mbrojtjen e privatësisë në realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, rezulton me një vetëdijesim gjithnjë e më të madh të qytetarëve. Kjo ka qenë motiv për ne si Agjenci që të vazhdojmë të promovojmë mbrojtjen e të dhënave personale të personave fizik përmes dhënies së udhëzimeve dhe propozimeve dhe zbatimit të mbikëqyrjeve në pajtim me dispozitat e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Afati prej 18 muajve për harmonizimin e punës të personave juridik me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale përfundoi në gusht të vitit 2021. Sipas Ju, a kanë arritur që personat juridik të harmonizojnë punën e tyre me Ligjin dhe deri në cilën shkallë?

Më 24.08.2021 përfundoi afati për harmonizimin me kornizën e re ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale. Më duhet të theksoj se edhe përskaj dilemave dhe mëdyshjeve fillestare te një numër i madh i kontrolluesve dhe përpunuesve (persona juridik) arritëm progres në raport me zbatimin e vendimeve të këtij Ligji. Deri më tani mbi njëmijë persona juridik kanë caktuar zyrtarë për mbrojtjen e të dhënave personale që është një nga elementet bazë në sistemin e ri për mbrojtjen e të dhënave personale. Në periudhën në vazhdim do të punojmë që të avancojmë punën dhe detyrat e tyre.

Gjithashtu, në vitin 2021, përmes projekt binjakëzimit të financuar nga BE “Mbështetje për zbatimin e kornizës ligjore të modernizuar për mbrojtjen e të dhënave personale”, Agjencia u bëri anketë kontrolluesve dhe përpunuesve përmes së cilës u fituan njohuri më të detajuara për nevojat e kontrolluesve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me ndihmën e përgjigjeve të këtyre 524 pyetjeve më tej do të përgatiten  udhëzime dhe udhëzues të harmonizuar me nevojat e tyre dhe në atë mënyrë do t’i ndihmojmë në realizimin e përgjegjësisë dhe arritjen e përshtatshmërisë me Ligjin. Personat juridik anketën e konsideruan si një listë të dobishme për vetevoluim, kështu që kjo është një vlerë shtesë e këtij hulumtimi.

Sipas anketës më shumë se gjysma e të anketuarve konsiderojnë se kanë arritur harmonizim me ligjin e ri dhe gjithashtu një përqindje e madhe konsiderojnë se janë mirë të njoftuar me detyrimet e tyre që dalin nga Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale. Por, ka edhe një numër të madh të kontrolluesve të cilët kanë nevojë për informacione plotësuese dhe për trajnime për mbrojtjen e të dhënave personale.

Cilat janë problemet më të shpeshta me të cilat ballafaqohen personat juridik gjatë zbatimit të Ligjit?

Sfida më e madhe për personat juridik lidhur me harmonizimin e proceseve zyrtare me Ligjin është: vlerësimi i rrezikut gjatë përpunimit të të dhënave personale, përcaktimi i bazës juridike përkatëse, mospasja e pëlqimit eksplicit për bërje të marketingut të drejtpërdrejt, mosmbajtja e evidencës së aktiviteteve të përpunimit etj. Një numër i madh i personave juridik nuk e kuptojnë se në punën e tyre përpunojnë të dhëna personale, por mendojnë se vetëm “i ruajnë” të dhënat personale të të punësuarve ose “ruajnë” vetëm emrin dhe mbiemrin dhe NUAQ-in e klientëve. Është e rëndësishme që personat juridik të kuptojnë se përpunojnë të dhëna personale dhe se Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale i dedikohet edhe atyre. Agjencia në këtë kontekst në ueb-faqen e vet ka publikuar udhëzime lidhur me njoftimin për përpunimin e të dhënave personale që do të rezultojë me rrezik të lartë dhe informacione për përcaktimin e zyrtarit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Gjithashtu, në dhjetor 2021 Agjencia miratoi dhe publikoi Vendimin për përcaktimin e klauzolave standarde të marrëveshjes ndërmjet kontrolluesve dhe përpunuesve dhe Vendimin për përcaktimin e klauzolave standarde të marrëveshjes për transfer të të dhënave personale në vende të treta me qëllim që t’ua lehtësojë personave juridik harmonizimin me dispozitat për mbrojtjen e të dhënave personale.

Porosia që ne duam t’ia japim personave juridik është që të jenë transparent, personat fizik duhet të dinë kush dhe pse i përpunon të dhënat e tyre personale. Dua që theksin ta vë në edukimin e të gjithë të punësuarve në fushën e materies për mbrojtjen e të dhënave personale dhe detyrimeve nga Ligji. Mbrojtja e të dhënave personale nuk është barrë por mundësi që kompanitë t’i përmirësojnë shërbimet e tyre që të përmirësojnë biznesin e tyre. Investimi në këtë lloj të mbrojtjes gjithmonë shpërblehet.

Agjencia gjatë vitit 2022 do të përgatitë ueb-faqe të re më të modernizuar, ku do të publikohen të gjitha materialet edukative.

Çfarë këshille do t’i jepnit qytetarëve që sa më mirë t’i ruajnë të dhënat e tyre personale?

Me qëllim që sa më mirë t’i mbrojnë të dhënat e tyre personale fillimisht duhet që qytetarët të jenë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre në këtë kohë të digjitalizimit në të cilën jetojmë, kjo e drejtë është shumë më e rëndësishme se kurdoherë më parë. Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale i jep të drejtën qytetarit që të di se cilat të dhëna personale i mbledhin, i përpunojnë dhe ruajnë personat juridik dhe a punojnë këta sipas ligjit. Për këtë qëllim Agjencia ka përgatitur Informues i cili është publikuar në ueb-faqen tonë, në të cilin janë shpjeguar të drejtat e qytetarëve, si për shembull: e drejta e qasjes deri te të dhënat personale, e drejta që të jetë i informuar, e drejta e përmirësimit, e drejta e ankesës, e drejta e fshirjes etj. Qytetarët duhet të dinë se për shembull, gjatë përpunimit të të dhënave të tyre, nëse nuk ka bazë ligjore për mbledhjen e të dhënave të tyre personale, nëse të dhënat personale të cilat kërkohen janë të shumta dhe jopërkatëse për qëllimin për të cilin mblidhen, nëse personi juridik nuk informon në mënyrë të qartë dhe transparente për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave personale të tyre, në këtë rast mund të refuzojnë t’i japin të dhënat e tyre.

Gjithashtu, për shkak të parashtresave të shumta që arrijnë në Agjenci, të cilat kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale në internet, është shumë e rëndësishme që të punohet në ngritjen e vetëdijes veçanërisht te fëmijët, prindërit dhe mësimdhënësit për mbrojtjen në internet. Agjencia apelon te të gjithë qytetarët dhe fëmijët se duhet ta bëjnë praktikë të kujdesen me kë komunikojnë dhe ndajnë informacione private, të mos bëjnë pagesa te persona dhe kompani të cilat nuk i kanë të njohura ose nën kërcënim etj.

Porositë që ne do të donim t’ia jepnim qytetarëve janë: Keni të drejtë të dini se kush dhe si i shfrytëzon të dhënat tuaja. Kujdesuni për të dhënat tuaja personale dhe të dhënat e personave tjerë sepse mund të vuani pasoja serioze si vjedhje e identitetit, dëm financiar dhe cenim i prestigjit. Mendohuni dy herë para se t’i publikoni të dhënat tuaja personale në internet, si për shembull fotografitë. Të dhënat tuaja kanë vlerë shumë të rëndësishme për këtë shkak kujdesuni për to.