Kovaçevski: Tashmë po punohet në krijimin e kushteve që çdo amvisëri dhe subjekt afarist të mund të vendos fotovoltaik në kulmin e vet
Në fazën e përpunimit janë vendimet ligjore me të cilat do të mundësohet që qytetarët të prodhojnë energji elektrike në kulmet e tyre dhe t’ia shesin atë blerësve dhe distributorëve të energjisë elektrike, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Ashtu siç theksoi ai gjatë vizitës së sotme në kompaninë “Vitaminka” në Prilep, tashmë po punohet për sigurimin e qasjes së lirë që çdo amvisëri në këtë shtet të mund të instalojë sistem fotovoltaik, ndërsa po përgatitet edhe ligj me të cilin do të lehtësohet procedura e instalimit të sistemeve fotovoltaik në kulmet e shtëpive dhe të objekteve industriale.
– Gjithashtu në plan është që të zmadhohet edhe fuqia e sistemeve, e cila për momentin për amvisëritë është 4 kilovat të bëhet 6 kilovat, ndërsa për subjektet afariste nga 20 kilovatët ekzistues pa licencë në 40 kilovat me licencë, kurse mbi këtë me marrje të licencës të mund të vendosin pakufi varësisht nga mundësia që ia ofron hapësira dhe kushtet për lidhje në rrjetin distributiv elektroenergjetik, u përgjigj Kovaçevski në pyetjen që iu parashtrua nga gazetarët.
Përveç kësaj, shtoi ai, me rregulloren për lidhje, e cila po përgatitet, do t’u mundësohet distributorëve të energjisë elektrike që ta marrin energjinë e prodhuar nga amvisëritë me çmim me të cilin distributori e merr nga prodhuesi shtetëror i energjisë elektrike.
– Ndryshimi i tretë është mundësia që energjia elektrike në mënyrë sa më të lehtë të mundshme të shkëmbehet dhe për këtë veç më po përgatitet akt nënligjor në Ministrinë e Financave me të cilin do të mundësohet prania e përfaqësuesit tatimor, sipas shembullit të shteteve evropiane perëndimore, që të mund blerësi i energjisë elektrike të jep faturë për amvisëritë, sepse ato nuk janë tatimpagues, dhe me këtë të mundësohet shkëmbimi i energjisë elektrike dhe trajtimi përkatës i TVSH-së, theksoi Kovaçevski.