/ Lexuar:

872

Leksikon juridik: REBUS SIC STANTIBUS

Koncepti “rebus sic stantibus”, gjegjësisht “rrethanat e ndryshuara” në parim do me thënë se njëra nga palët kontraktuese ka të drejtë të kërkojë ndërprerje të kontratës kur rrethanat ndryshojnë në mënyrë thelbësore, nëse janë plotësuar supozime të caktuara.

Sipas Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve, nëse pas lidhjes së kontratës krijohen rrethana që e rëndojnë përmbushjen e obligimit nga njëra palë ose nëse për shkak të tyre nuk mund të realizohet qëllimi i kontratës, ndërsa edhe në njërin edhe në rastin tjetër në atë masë është e dukshme se kontrata më nuk i përgjigjet pritshmërive të palëve kontraktuese dhe se sipas mendimit të përgjithshëm do të ishte e padrejtë të mbahet në fuqi ashtu siç është, pala të cilës i është rënduar përmbushja e obligimit, gjegjësisht pala e cila për shkak të rrethanave të ndryshuara nuk mund ta realizojë qëllimin e kontratës mund të kërkojë që kontrata të ndërpritet.

Ndërprerja e kontratës nuk mund të kërkohet nëse pala e cila thirret në rrethanat e ndryshuara ka qenë e obliguar t’i merr parasysh ato rrethana gjatë lidhjes së kontratës ose ka mundur t’i shmang ose t’i zotërojë. Pala e cila kërkon ndërprerje të kontratës, gjithashtu, nuk mund të thirret në rrethanat e ndryshuara që janë krijuar pas përfundimit të afatit të caktuar për përmbushjen e obligimit të saj. Kontrata nuk do të ndërpritet nëse pala tjetër ofron ose pajtohet që kushtet përkatëse të marrëveshjes të ndryshohen në mënyrë të drejtë.

Nëse gjykata shqipton ndërprerje të kontratës me kërkesë të palës tjetër, palën që ka kërkuar do ta obligojë t’ia kompensojë palës tjetër pjesën e dëmit në mënyrë të drejtë, të cilin e ka pësuar për këtë.

Pala e cila është e autorizuar që për shkak të rrethanave të ndryshuara të kërkojë ndërprerje të kontratës është e obliguar për qëllimin e vet të kërkoj ndërprerje të kontratës, ta njoftojë palën tjetër menjëherë posa të ketë kuptuar se janë paraqitur rrethana të tilla, e nëse nuk e ka bërë këtë do të përgjigjet për dëmin që pala tjetër e ka pësuar për shkak se kërkesa nuk i është kumtuar në kohë.

Palët, me kontratën munden që më parë të heqin dorë nga thirrja në rrethana përkatëse të ndryshuara, përveç nëse kjo është në kundërshtim me parimin për ndërgjegjshmëri dhe ndershmëri.