Miratohen vendime për gjendje krize në furnizimin me energji termike në qytetin e Shkupit dhe energji elektrike në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mbajti mbledhjen e 74-të, në të cilën miratoi vendime për shpalljen e gjendjes së krizës në furnizimin me energji termike në qytetin e Shkupit dhe me energji elektrike në tërë territorin Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Vendimi i parë është marrë për shkak të mungesës së energjisë termike, mundësisë së përdorimit të lëndëve djegëse alternative dhe gjendjes së tregut të energjisë termike.
Ndërsa vendimi i dytë është sjellë për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe gjendjes së tregjeve të energjisë elektrike.
Të dyja vendimet janë marrë me propozim të Komitetit Drejtues për Koordinim dhe Menaxhimin në Sistemin e Menaxhimit të Krizave dhe do të fillojnë të zbatohen nga 1 shtatori 2022.
Ekzistimi i gjendjes së krizës në furnizimin me energji elektrike dhe termike do të zgjasë 30 ditë nga dita e fillimit të zbatimit të këtyre vendimeve
Me ditën e fillimit të zbatimit të këtyre vendimeve, Komisioni për Monitorimin e Situatave me Furnizimin me Energji Elektrike dhe për Monitorimin e Situatave me Furnizimin me Energji Termike monitoron, analizon dhe vlerëson vazhdimisht gjendjen në tregjet e energjisë elektrike dhe termike dhe propozon masa në përputhje me dekretet me të cilat rregullohen kriteret dhe kushtet për shpalljen e gjendjes së krizës.