/ Lexuar:

422

Rregullat e sjelljes së deputetëve sipas Kodit etik të Kuvendit

Në Kuvend rreptësisht ndalohet përdorimi i forcës dhe sjelljes së dhunshme nga ana e deputetëve. Deputeti nuk guxon të merr pjesë në ngjarje me të cilat rrezikohet siguria e Kuvendit, përcaktohet në Kodin për sjellje etike të deputetëve, qëllimi i të cilit është ruajtja dhe afirmimi i dinjitetit dhe reputacionit të Kuvendit dhe deputetëve.

Deputeti gjatë ushtrimit të funksionit të tij duhet t’i përmbahet parimeve themelore etike, ta ushtrojë funksionin e tij pa diskriminim, të udhëhiqet nga interesi publik dhe ta respektojë personalitetin e secilit individ.

Nga këtu, me Kodin përcaktohet se deputeti e ka për detyrë gjatë ushtrimit të funksionit të jetë posaçërisht i vëmendshëm dhe ta respektojë personalitetin dhe reputacionin e çdo individi dhe çdoherë të mbaj llogari të mos e cenojë reputacionin e deputetëve të tjerë dhe reputacionin e Kuvendit.

Deputeti nuk guxon t’i ndërpresë folësit, të hedhë fjalë nga vendi ose në cilëndo qoftë mënyrë tjetër ta prishë rrjedhën e seancës dhe të përdorë fjalë fyese, fraza, shprehje ose gjestikulacione me të cilat mund të fyhen ose përçmohen deputetët e tjerë ose bartësit e funksioneve publike.

Deputeti përmbahet nga veprimet dhe fjalimet me të cilat mund të nxisë urrejtje, intolerancë dhe dhunë në bazë personale, ideologjike, fetare, nacionale, gjinore dhe racore.

Deputeti i respekton autorizimet e personave të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar, të nëpunësve shtetërorë dhe të punësuarve të tjerë në Shërbimin e Kuvendit, nuk do të ushtrojë presion gjatë kryerjes së detyrave të tyre të punës dhe nuk do të stimulojë dhe ndihmojë sjellje në kundërshtim me Kodin.

Në Kodin për sjellje etike të deputetëve përcaktohen edhe rregullat themelore të sjelljes.

Sipas Kodit, deputeti e ka për detyrë t’i respektojë rregullat e sjelljes për mbajtjen e rendit në seancën e Kuvendit, në trupat e punës dhe në trupat tjerë të Kuvendit.

Deputeti, veçanërisht duhet të ketë sjellje të vëmendshme dhe ta respektojë personalitetin dhe reputacionin e çdo individi dhe të mbajë llogari të mos e cenojë reputacionin e deputetëve të tjerë dhe reputacionin e Kuvendit;

Deputeti nuk duhet të përdorë fjalë dhe shprehje me të cilat do të cenojë ose përçmojë persona të tjerë, dinjitetin e njeriut dhe do të nxisë urrejtje, intolerancë dhe dhunë.

Gjithashtu, deputeti duhet t’i përmbahet temës për të cilën zhvillohet diskutimi dhe të mos e ndërpresë folësin ose në cilëndo qoftë mënyrë tjetër ta prishë rrjedhën e seancës/mbledhjes.

Deputeti, në të gjitha paraqitjet e tij publike në të cilat merr pjesë si përfaqësues i Kuvendit, në Kuvend dhe jashtë tij, e ka për detyrë ta respektojë reputacionin dhe dinjitetin e Kuvendit.

Kodi për sjellje etike të deputetëve ka për qëllim ta rris besimin e qytetarëve dhe publikut në vlerat themelore dhe integritetin e funksionit deputet si personalitet i Kuvendit, si organ përfaqësues i qytetarëve dhe bartës i pushtetit ligjvënës.

Kodi etik në Kuvend u votua në vitin 2018 pasi që paraprakisht ishte harmonizuar në kuadër të procesit “Zhan Mone”, në Ohër. Në njërën nga ngjarjet dedikuar promovimit të kodit ishte theksuar se përveç përvetësimit juridik do të nevojitet edhe përvetësimi kulturor i parimeve etike.