/ Lexuar:

476

U publikua teksti i Propozim-ligjit për falje, i cili parasheh kritere më të rrepta për faljen

Ministria e Drejtësisë në ENER e publikoi tekstin e Propozim-ligjit për falje, i cili si risi për përmirësimin e funksionalitetit të sistemit juridik ishte paralajmëruar kah fundi i vitit të kaluar.

Të hiqen dyshimet në institutin “Falje”

Me ligjin e ri do të përforcohen kriteret dhe do të definohen kushte të reja më të rrepta për atë se kush mund të falet, u tha nga Ministria e Drejtësisë.

“Me këtë konsiderojmë se do të minimizohen shanset që në listën për falje në të ardhmen të gjenden persona të cilët në publik shkaktojnë dyshime për funksionimin normal të sistemit juridik”, thanë nga Ministria.

Qëllimi i Propozim-ligjit, thuhet nga Ministria, është përmirësimi i organizimit të faljes si institut dhe mënjanimi i mangësive në ligjin aktual.

Në përgatitjen e aktvendimit ligjor janë analizuar rregullore, akte si dhe rekomandime të Gjykatës Evropiane për Liritë e Njeriut dhe parimet thelbësore të ligjeve të Bashkimit Evropian.

Faljen e jep Kryetari i shtetit

Me Propozim-ligjin për falje rregullohen llojet e faljes, veprimi i faljes, personat e autorizuar për dorëzim të lutjes për falje, si dhe procedura dhe aktet e organeve kompetente lidhur me faljen.

Në Propozim-ligjin përcaktohet se Kryetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut fal persona të caktuar me emër për vepra penale të parapara me ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në pajtim me dispozitat e Kodit penal.

Falja jepet për person fizik të caktuar me emër për shkak të: lirimit të plotë ose të pjesshëm nga vuajtja e dënimit pas aktgjykimit të plotfuqishëm; zëvendësimit të dënimit të shqiptuar me dënim më të butë sipas llojit dhe lartësisë ose me masë alternative, zëvendësimit të masës alternative me masë tjetër sipas llojit, dhënies së rehabilitimit të parakohshëm ose përcaktimit të kohëzgjatjes më të shkurtër të pasojave juridike të dënimit; dhe abrogimit ose përcaktimit të kohëzgjatjes më të shkurtër të masave të sigurisë.

Në aktvendimin ligjor, gjithashtu, përcaktohet se procedura për falje ngritet me lutje të të dënuarit ose të mbrojtësit të tij. Gjithashtu, lutje në dobi të personit të dënuar, me deklaratë me shkrim për pëlqim të dhënë nga personi i dënuar, mund të parashtrojë edhe bashkëshorti/ja, farefisi i gjakut në brezin e parë, vëllai, motra, adoptuesi, i adoptuari, ushqyesi ose kujdestari.

Lutja për falje mund të parashtrohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit

Në Propozim-ligjin përcaktohet se lutja mund të parashtrohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Lutja parashtrohet në Ministrinë e Drejtësisë e cila përcakton nëse ekzistojnë kushte për ngritje të procedurës për falje. Lidhur me lutjen Ministria e Drejtësisë i mbledh të dhënat e nevojshme dhe përgatit raport. Raporti, i cili përpunohet në afat prej 30 ditësh pas marrjes së të dhënave, bashkë me dokumentet dorëzohen te Komisioni për falje në Ministrinë.

Komisioni për falje në Ministri përgatit mendim të arsyetuar me shkrim për lutjen të cilin ministria bashkë me raportin i dorëzon te Kryetari i shtetit, i cili është kompetent të sjell aktvendim për falje të personit të dënuar, aktvendim për refuzim të lutjes për falje të personit të dënuar, aktvendim për pranim të lutjes për falje ose aktvendim për refuzim të lutjes për falje.

Komisioni përbëhet nga profesionist të shquar

Komisioni për falje në Ministrinë e Drejtësisë përbëhet nga ministri i Drejtësisë i cili  është anëtarë me detyrë zyrtare dhe gjashtë anëtarë me mandat prej katër vjetësh. Komisionin për falje në Ministrinë e Drejtësisë e udhëheqë ministri i Drejtësisë.

Anëtarët e Komisionit për falje në Ministrinë e Drejtësisë i emëron ministri i Drejtësisë pas thirrjes publike në ueb-faqen e Ministrisë. Anëtarët e Komisionit për falje në Ministrinë emërohen nga radha e profesionistëve të shquar, me më së paku 10 vite përvojë pune profesionale në sferë , prej të cilëve tre janë nga sfera e drejtësisë dhe nga një nga sfera e mjekësisë, psikologjisë dhe sociologjisë.

Komisioni për falje te Kryetari

Në Propozim-ligjin përcaktohet se Kryetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut mund të formojë Komision për falje si organ përkatës dhe t’i emërojë anëtarët e tij. Numrin e anëtarëve, mënyrën e punës dhe kompensimin për punën e anëtarëve të Komisionit i përcakton Kryetari.