/ Lexuar:

922

E PAS MARTESËS, SHKURORËZIM…

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, edhe juridikisht edhe de facto, familja tradicionale fillon me lidhjen martesore në mes burrit dhe gruas. Legjislatura e Maqedonisë tash për tash nuk lejon martesën e personave me gjini të njëjtë, edhe përskaj asaj se një pjesë e legjislaturës evropiane dhe botërore juridikisht e kanë rregulluar edhe këtë problematikë, kështu, në rast se një shtetas i Maqedonisë lidhë kurorë me person të gjinisë së njëjtë në një shtet tjetër, regjistrimi i tyre në evidencën amë në RMV nuk lejohet.

Por kur martesa bëhet “burg” për njërin apo për të dy bashkëshortët, është e patjetërsueshme procedura e shkurorëzimit. Temë e rëndë, e mundimshme, e ndejshme emocionalisht dhe socialisht për secilin që kalon nëpër atë rrugë të vështirë.

Preferohet që bashkëshortët që kanë vendosur të ndahen të vizitojnë avokatë i cili ka përvojë në udhëheqjen e procedurës së shkurorëzimit.

Në përputhje me të dhënat zyrtare të Entit Shtetërorë të Statistikave të RMV-së, shkurorëzimi shënon ulje në vitin 2022 në raport me vitin 2021. Numri i shkurorëzimeve në vitin 2022 shënon ulje për 17,9% në raport me vitin 2021 dhe është diku 1613 shkurorëzime. Sipas moshës, numri më i madh i shkurorëzimeve, 298 ose 18,5% te gratë dhe 281 shkurorëzime ose 17,4% te burrat, kanë ndodhur në grupin e moshës së njëjtë prej 30 deri 34 vjet. Sipas kohëzgjatjes së martesës, më shumë shkurorëzime, 360 ose 22% kanë ndodhur prej 5 deri 9 vjet pas lidhjes së kurorës.

Procedura për shkurorëzim fillon me dorëzimin e propozimit për shkurorëzim me marrëveshje ose me padi për shkurorëzim të njërit nga bashkëshortët përmes avokatit deri te gjykata kompetente, thotë avokati Mihail Davidovski nga Shkupi, i cili është njëri nga avokatët e shumtë në vend të cilit i drejtohen për ndihmë personat që duan të shkurorëzohen. Ligji i familjes rregullon dy mënyra të ngritjes së procedurës për shkurorëzim;
– Kur të dy bashkëshortët janë dakord të ndahen dhe kur kanë dorëzuar marrëveshje lidhur me kryerjen e të drejtave dhe obligimeve prindërore dhe për mirëmbajtjen dhe edukimin e fëmijëve. Bashkëshortët, personalisht ose përmes avokatit të tyre, dorëzojnë në gjykatë propozim të përbashkët për shkurorëzim me marrëveshje. Gjykata i thirr në seancë në të cilën, nëse qartë konstatohet se bashkëshortët atë vendim të përbashkët e kanë marrë të lirë, në mënyrë serioze dhe pa hamendje, sjell vendim për shkurorëzim me marrëveshje.
– Kur nuk ka marrëveshje të përbashkët, ngritët padi nga ana e njërit bashkëshort. Siç thotë avokati, Ligji i familjes njeh dy kategori të arsyeve për shkak të cilave kurorëzimi mund të prishet me anë të padisë. E para është për shkak se raportet martesore në mes bashkëshortëve janë deri në atë shkallë të dëmtuara saqë jeta e përbashkët është bërë e padurueshme, ndërsa arsyeja e dytë për shkak të cilës mund të prishet kurora me anë të padisë është nëse është krijuar ndërprerje faktike e bashkësisë bashkëshortore më e gjatë se një vit.

Shpesh në praktikën gjyqësore nëse njëri nga bashkëshortët e paditur nuk i konteston arsyet e përmendura për shkurorëzim, gjykata sjell vendim – aktvendim për shkurorëzim të menjëhershëm (përveç në rastet kur gjykata duhet të vendos për ruajtjen, edukimin dhe mirëmbajtjen e fëmijëve pasi që paraprakisht të ketë marrë mendimin nga Qendra për Punë Sociale). Por, nëse edhe në këtë rast ka marrëveshje në mes të dy palëve kundërshtare në procedurë, të njëjtën, në përputhje me vullnetin dhe pëlqimin e dhënë nga ana e palëve e transformon në propozim për shkurorëzim me marrëveshje.

Bashkëshortët që kanë ndërmend të shkurorëzohen duhet të kenë vullnet dhe vendosmëri për këtë. Nëse hamenden, Ligji i familjes parasheh procedurë për pajtim të bashkëshortëve. Ajo zbatohet pas pranimit të padisë, gjegjësisht pas pranimit të propozimit për shkurorëzim me marrëveshje.

Nëse palët vendosin që ta shpëtojnë martesën, thotë Davidovski, atëherë ekziston mundësia e tërheqjes së padisë pa pëlqimin e paditësit deri në përfundimin e mosmarrëveshjes kryesore, e në rastet kur ekziston pëlqim i paditësit, padia mund të tërhiqet derisa procedura nuk është përfunduar në mënyrë të plotfuqishme. Nëse paditësi heq dorë nga padia, konsiderohet se paditësi e ka tërheq padinë. Propozimin për shkurorëzim me marrëveshje bashkëshortët mund ta tërheqin derisa procedura nuk është përfunduar në mënyrë të plotfuqishme.

E në rastet kur ngritët procedurë për shkurorëzim, ndërsa në atë martesë ka fëmijë të mitur dhe fëmijë të rritur për të cilët është vazhduar e drejta prindërore, gjykata pas pranimit të padisë dhe shqyrtimit paraprak të saj, lëndën me padinë e dorëzon në organin kompetent për punë sociale, i cili në afat prej tre muajsh pas pranimit të njoftimit zbaton procedurë interne në bazë të të cilës më pas i jep mendim gjykatës kompetente për mënyrën e ruajtjes, edukimit dhe mirëmbajtjes së fëmijëve të lindur në martesë.

Aktgjykimin e plotfuqishëm për shkurorëzim gjykata e dorëzon sipas detyrës zyrtare në njësitë amë ku personat kanë libër amë të të kurorëzuarve. Por, siç shton Davidovski, ka edhe raste kur kjo nuk bëhet (praktika ka treguar se në një numër të vogël të rasteve aktgjykimi mund të mos dorëzohet në shërbimin amë kompetent, ose dorëzimi i aktgjykimit vonohet). Kur palët – tanimë ish çift bashkëshortor dorëzojnë kërkesë për certifikatë nga libri amë i të lindurve ose i të kurorëzuarve në raste të caktuara mund të konstatojnë se akoma ju figuron martesa në evidencën amë. Në këtë rast, nëse palët kanë nevojë për zbatim më urgjent të aktgjykimit për shkurorëzim në evidencën amë, atëherë është e nevojshme që në shërbimin amë kompetent ta parashtrojnë kopjen e tyre origjinale të aktgjykimit gjyqësor, ose nga gjykata që e ka sjell aktvendimin të marrin kopje të aktgjykimit të njëjtë dhe ta dorëzojnë në shërbimin amë me qëllim që të shënohet në evidencën amë. Nëse bëhet fjalë për aktgjykim të plotfuqishëm për shkurorëzim të miratuar jashtë vendit të shtetasit të Maqedonisë, atëherë aktgjykimi i huaj patjetër fillimisht të vërtetohet me aktvendim nga ana e gjykatës kompetente në RMV, e pastaj aktvendimi për njohje të aktgjykimit të huaj gjyqësor të evidentohet në evidencën amë.

Kur flasim për rastet nga gjykata për këtë temë, thotë Davidovski, duhet të theksohet se shkurorëzimi në numrin më të madh të rasteve ndikon në psikikën e palëve që duhet në mënyrë formale-juridike ta përfundojnë bashkësinë martesore. Por, procedurat në të cilat ekziston marrëveshje e përbashkët në mes bashkëshortëve lidhur me çështje të ndryshme në procedurë, veçanërisht lidhur me mënyrën e ruajtjes, edukimit dhe mirëmbajtjes së fëmijëve të tyre, janë më ekonomike dhe lënë më pak pasoja negative.

Sa i përket arsyeve për shkurorëzim, Davidovki thotë se ato janë nga më të ndryshmet dhe se nuk mund të numërohen vetëm disa. Një pjesë e arsyeve janë ndjenja e mosdurimit në mes bashkëshortëve, veçanërisht të bashkëshortëve deri në moshën 40 vjeçare, ekzistimi i dhunës familjare, edhe atë jo vetëm dhunës fizike, por edhe i dhunës psikike, psikologjike, ekonomike, e në një pjesë më të vogël edhe dhunës seksuale. Arsye tjetër e shpeshtë është gjendja e nënshtrimit në të cilën gjendet njëri nga bashkëshortët, situata të tradhtisë, mundësitë sociale dhe ekonomike në familje, nevoja për shkurorëzim për realizim të të drejtave nga natyra sociale, nënshtetësia, qëndrimi dhe arsye tjera në vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e treta jashtë BE-së, moskryerja e obligimeve prindërore dhe familjare që kanë të bëjnë me obligimet në shtëpi në mes të bashkëshortëve, humbja e ndjenjës për nevojë për partner për shkak të mënyrës intensive të të jetuarit dhe luftës për financa, ku anashkalohet familja, e që me kalimin e kohës vjen deri te përfundimi i bashkësisë martesore e edhe shumë arsye tjera.

Por, Dvidovski shpjegon, se ka edhe shkurorëzime që zgjasin një kohë më të gjatë. Në ato procedura më shumë kohë merr argumentimi i mundësive personale dhe pronësore i bashkëshortëve, si dhe të ardhurat e tyre dhe mundësia për fitim, të cilët janë faktor i rëndësishëm për përcaktimin e mënyrës së ruajtjes, besimit dhe mirëmbajtjes së fëmijëve, e të cilat nuk do të zgjasnin edhe shumë gjatë nëse palët do të mblidhnin forcat dhe do të dakordoheshin për çështje dhe gjendje të caktuara. Në raste më të rralla ka edhe situata konfliktuoze dhe fyerje në mes bashkëshortëve gjatë procedurave në gjykata, kështu theksi, gjegjësisht kulmi i pakënaqësive arrin gjatë procedurave për ndarje të pronës që bashkëshortët e kanë fituar gjatë martesës. Procedura për pronën e fituar gjatë martesës është procedurë e veçantë para gjykatës kompetente. Secili shkurorëzim është histori dhe përvojë në vete, shton Davidovski.