/ Lexuar:

441

Intervistë me gjykatësen Daniella Dimovska: Shërbimi i provës është mënyra më efikase për kthimin e delikuenteve në rrugën e drejtë

Gjykatëse Dimovska, çfarë ju shtyu që së bashku me tre kolegët tuaj ta shkruani Analizën e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve – Sfida, probleme praktike, zgjidhje?

Në 7 vitet e kaluara, fillimisht si gjykatëse e procedurës paraprake, e më pas edhe si gjykatëse për ekzekutimin e sanksioneve, kam vendosur pikërisht për kufizimin e lirisë, e cila, në realitet, pas të drejtës së paprekshme të jetës, është e drejta më e lartë njerëzore. Dhe me të vërtetë vendimet e këtilla janë veçanërisht të rënda, e sidomos nëse kemi parasysh kushtet në të cilat duhet t’i dërgosh të dyshuarit të cilëve akoma nuk iu është dëshmuar faji i tyre, e as nuk është më e lehtë kur dërgon për të vuajtur dënimin me burg të dyshuarit e sëmurë rëndë. Padyshim, nga këtu lind edhe interesimi im për sistemin e burgut, si dhe dëshira e madhe për përmirësimin e tij.

Megjithatë, në të drejtën penale që të gjithë theksin e vëmë në vet procedurën penale, gjë që është e arsyeshme, por që fatkeqësisht ekzekutimi i sanksioneve nuk e merr vendin e merituar, edhe përskaj asaj se qëllimi final është pikërisht dënimi ose marrja e dobisë pronësore. Kur them “dënimi” nuk mendoj vetëm që t’i shkaktohet “dëm” kryerësit për veprën penale të bërë, por mendoj edhe për risocializimin e tij. Kur erdha në Sektorin për ekzekutimin e sanksioneve, më pritën kolegë të mrekullueshëm, por dhe shumë dilema. Gjykatësit Pajazit Pajaziti dhe Aleksandër Milloshevski veç më kishin përvojë shumëvjeçare, veçanërisht nëse kemi parasysh se Gjykata Penale në Shkup ekzekuton numrin më të madh të gjykimeve në gjithë shtetin. Megjithatë, këto vitet e fundit ishin me të vërtetë shumë sfidues për sistemin tonë juridik, përfshirë këtu edhe ekzekutimin e sanksioneve. Edhe përskaj praktikës së deritanishme gjyqësore, e cila nuk ishte kontestuese, tash për herë të parë u parashtrua pyetja në çfarë mënyre do të dërgohen të paraburguarit nga paraburgimi shtëpiak për vuajtje të dënimit me burg. U përballëm me të ashtuquajturin “turizëm burgu”, u përballëm me trajtim jo të barabartë në mes burrave të burgosur dhe grave të burgosura e edhe shumë situata tjera. Filloi të flitet për të drejtën e informimit, për të drejtën e përmbushjes së nevojave fetare të të burgosurve dhe për shumë çështje tjera të cilat më parë nuk ishin parashtruar asnjëherë, kështu e gjithë kjo ishte një sfidë e mjaftueshme që ne tre gjykatësit për ekzekutimin e sanksioneve, bashkë me doc. dr. Elena Mujoska-Trpevska, ta bëjmë Analizën për Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve, e cila është mbështetur dhe publikuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup, e në të t’i lokalizojmë problemet më të mëdha, dhe çka është më e rëndësishme të japim propozime për tejkalimin e tyre. Rrëfyem për problemet rreth paraburgimit shtëpiak, dërgimin për vuajtje të dënimit me burg të personave të sëmurë të cilët mbajnë masën paraburgim shtëpiak dhe të cilët nuk kanë mundësi ligjore të kërkojnë shtyerje të fillimit të dënimit, ndalimin e mbajtjes së dënimit me burg për shtetas të huaj të dënuar,  ndalimin e mbajtjes së dënimit me burg për personat e dënuar me burg të përjetshëm të cilët nuk kanë mundësi për lirim me kusht as për rishqyrtim të dënimit, si dhe për moslidhshmërinë institucionale që reflektohet mbi sistemin e tërësishëm. Ndamë vendime vendore për të cilat konsiderojmë se janë relevante, por edhe vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që kanë të bëjnë me ekzekutimin e sanksioneve. Si shtojcë të analizës i shtuam edhe formularët që shfrytëzohen më shpesh.

A konsideroni se masat alternative (gjykim me kusht, burg shtëpiak, punë e dobishme) ndikojnë në mënyrë pozitive në risocializimin e suksesshëm të personave të dënuar?

Para pak kohe lexova për një fis afrikan i cili ka zakon që kur ndonjëri nga ata do të bëjë ndonjë punë të keqe, e dërgojnë në mes të fshatit dhe aty mblidhet i gjithë fisi dhe dy ditë rresht flasin për të gjitha punët e mira që i ka bërë në jetë ai njeri. Ky fis besojnë se secili njeri është i mirë, por që ndonjëherë bënë gabime, që në realitet është thirrje për ndihmë, për këtë arsye të gjithë mblidhen me qëllim që përsëri ta bashkojnë me natyrën e tij dhe ta rikujtojnë për atë se çfarë realisht është ai. Në të drejtën bashkëkohore për të dënuarit që për herë të parë ballafaqohen me ligjin gjykata shpesh përcakton masa alternative, të cilat nuk paraqesin ikje nga dënimi, siç interpretohet shpesh në shoqëri, por shtyerje të dënimit nën kushte të caktuara. Në Gjermani, për shembull, nga 200.000 të dënuar në vit, 80% ose janë me dënim me para ose shkojnë në probacion, ndërsa vetëm 20% shkojnë në burg, kurse 2/3 e të burgosurve më pas i nënshtrohen probacionit. Te ne ky institucion, kishte një fillim shumë “të turpshëm”, por prapë shërbyesit e probacionit nuk e humbin vullnetin, kështu nëse zyra lokale e probacionit në Shkup në vitin 2017 kishte vetëm 4 lëndë, në vitin 2022 ka diku 306 lëndë. Dhe me të vërtetë jam shumë e bindur dhe besoj fuqishëm se ky lloj i dënimit qon jo vetëm drejt risocializimit, por para se gjithash edhe drejt mbrojtjes nga infeksioni kriminal të personave të pagjykuar më parë. Shpesh bëhet fjalë për kryerës të ri, një pjesë e tyre kanë prejardhje nga mjedise disfunksionale, ndonjëherë kanë përjetuar tragjedi të caktuara familjare, kanë humbur anëtarë të familjes, kanë humbur punën, disa prej tyre përballen me sëmundje të pashërueshme, kujdesi nga shoqëria shpesh mungon ose është i vonuar, kështu këta të lënduar e shkelin ligjin. Për momentin në gjithë shtetin kemi 39 persona të dënuar për prodhim dhe tregti me droga narkotike substanca psikotrope dhe prekursorë (në numrin më të madh të rasteve bëhet fjalë për disa gram drogë narkotike marihuanë) me të cilat punon shërbimi i provës.

Puna e dobishme si masë alternative u “shfaq” si sanksion për persona të cilët e shkelën orën policore gjatë pandemisë dhe i dha rezultatet e pritshme sepse shumica e shkelësve ishin të rinj, të varur financiarisht, kështu përmes punës së dobishme ata paguan për normat të cilat i shkelën. Burgu shtëpiak, edhe përskaj asaj se nga ligjdhënësi është paraparë për kryerësit të cilët janë të vjetër dhe pafuqishëm, si dhe për të sëmurët rëndë ose për gratë shtatzëna, prapë se prapë nuk ekzistojnë parakushte për zbatimin e tij. Në analizën e lartpërmendur, me kolegët rrëfyem pikërisht për rrezikun nga mosdefinimi i kufirit të moshës si kusht për shqiptimin e masës burg shtëpiak, kështu kjo mund të sjell deri te interpretimi më i gjerë dhe deri te keqpërdorimi eventual, veçanërisht nëse kihet parasysh përdorimi i përgjithshëm i termeve kryerës “relativisht i vjetër” dhe “relativisht i ri” në vendimet tona gjyqësore. Nëse kemi parasysh se sa mjete të gjithë ne, obliguesit tatimor, paguajmë për funksionimin e burgjeve, atëherë mendoj se e tërë shoqëria do t’i mbështesë masat alternative  si një lloj i sanksionit për vepra penale më të lehta, ndera personalisht konsideroj se probacioni është mënyra më e mirë e mundshme që t’i kthejmë në rrugën e duhur delikuentet të cilët për herë të parë përballen me ligjin.

Cili është qëndrimi juaj lidhur me amnistinë e paralajmëruar?

Amnistia, gjegjësisht “harresa” ose “falja” e një pjese të dënimit të të dënuarve gjithmonë praqet çështje që e diskuton shoqëria, edhe atë jo vetëm te ne, por gjithkund në botë. Argumente ka nga të dy anët. edhe “për” edhe “kundër”. Gjegjësisht është fakt se dënimi i shkurtër me burg që shqiptohet për vepra penale më të lehta rrallë herë jep rezultate të mira sepse nuk mundëson riintegrim, por vetëm mundëson që të burgosurit të marrin shprehi të këqija. Kapaciteti maksimal i Burgut “Idrizovë” është 1089 shtretër, ndërsa për momentin atje ka 1180 të burgosur. Mbingarkimi në mënyrë të pashmangshme sjell trajtim johuman ndaj të burgosurve. Shpesh, shteti si zgjidhje të vetme e sheh amnistinë. Por, nga ana tjetër, ai proces, për fat të keq, sjell shpërfillje, para së gjitha, të të drejtave të viktimave, si dhe të të gjitha resurseve të harxhuara gjatë procedurës penale, por edhe “ridizajnim” të politikës dënuese. Megjithatë, sjellja e ligjeve është në kompetencë të ligjdhënësit, i cili nëse vendos për ligjin për amnisti, obligohet që t’i shpjegoj arsyet dhe motivet për të njëjtin, kurse ne gjykatësve na mbetet që ta zbatojmë ligjin.