/ Lexuar:

797

Të drejtat e pacientëve në shfrytëzimin e mbrojtjes shëndetësore

Të drejtat e pacientëve në shfrytëzimin e mbrojtjes shëndetësore rregullohen me Ligjin për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve.

Në këtë Ligj përcaktohet se mbrojtja e të drejtave të pacientëve bazohet në parimet e humanitetit dhe qasjes. Këto parime nënkuptojnë respektim të personalitetit të pacientit dhe marrjen e shërbimeve shëndetësore që vazhdimisht janë të arritshme për të gjithë pacientët në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim.

Pacienti ka të drejtë për kujdes, mjekim, dhe rehabilitim. Personaliteti i pacientit patjetër duhet të respektohet. Ai ka të drejtë për siguri personale, por edhe të drejtë të pjesëmarrjes në vendosje.

“E drejta e pacientit për pjesëmarrje në vendosje e përfshin të drejtën e informimit dhe të drejtën e pranimit ose refuzimit të intervenimit të caktuar mjekësor. E drejta e pacientit në pjesëmarrje në vendosje mund të kufizohet me përjashtim vetëm kur ajo është e arsyeshme me gjendjen shëndetësore të pacientit, në rastet dhe në mënyrë të rregulluar me këtë ligj”, thuhet në Ligjin.

 

Me Ligjin për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve përcaktohet se pacienti ka të drejtë në të gjithë fazat e mbrojtjes shëndetësore, të jetë plotësisht i informuar për:

  • gjendjen e vet shëndetësore, duke përfshirë dhe vlerësimin mjekësor të rezultateve dhe epilogun e intervenimit të caktuar mjekësor, si dhe komplikimet e saj të shpeshta të pritura;
  • intervenimet e rekomanduara, si dhe datat e planifikuara për zbatimin e tyre (programin për trajtim dhe rehabilitim);
  • përparësitë e mundshme dhe rreziqet gjatë zbatimit, përkatësisht moszbatimit të intervenimeve të rekomanduara mjekësore;
  • të drejtën e tyre në vendosje për intervenimet e rekomanduara mjekësore;
  • ndryshimet e mundshme për intervenimet e rekomanduara mjekësore;
  • arsyet për ndryshimet eventuale të rezultatit të arritur nga intervenimet mjekësore në raport me rezultatin e pritshëm;
  • rrjedhën e procedurës gjatë ofrimit të mbrojtjes shëndetësore;
  • mënyrën e rekomanduar të jetesës dhe
  • të drejtat nga mbrojtja shëndetësore dhe sigurimi shëndetësor, si dhe procedurat për realizimin e atyre të drejtave.

Pacienti ka të drejtë të pranojë ose të refuzojë intervenim të caktuar mjekësor, përveç në rastet e intervenimeve mjekësore prolongimi ose mosndërmarrja e të cilave do ta rrezikonte jetën dhe shëndetin e pacientit, përkatësisht jetën dhe shëndetin e personave të tjerë ose do të shkaktonte dëmtim të përkohshëm ose të përhershëm të shëndetit të tij, përkatësisht shëndetit të personave të tjerë. Pranimin ose refuzimin e intervenimit të caktuar mjekësor pacienti e shpreh me nënshkrimin e deklaratës.

Me Ligjin rregullohet edhe mbrojtja e të drejtave të pacientit mbi të cilin kryhet kërkim shkencor.

“Për kryerjen e kërkimeve shkencore mbi pacientin, është e domosdoshme të jepet pajtueshmëri me vetëdije, e qartë dhe vullnetare nga pacienti. Pajtueshmëria e pacientit, në kuptimin e këtij ligji, është në formë të shkruar, e datuar dhe nënshkruar nga pacienti deklaratë për pjesëmarrje në kërkime të caktuara shkencore, e dhënë në bazë të mënyrës precize dhe të kuptueshme informacione të dhëna për natyrën, vlefshmërinë, pasojat dhe rreziqet e kërkimit. Për pacientin pjesërisht i paaftë për punë ose i moshës jomadhore, deklaratën për pajtueshmëri e jep prindi i tij, përfaqësuesi ligjor ose tutori, me leje të Qendrës kompetente për punë sociale”, përcaktohet në Ligjin për mbrojtjen e të dhënave të pacientëve.

Gjithashtu, për përfshirjen e pacientit në leksione mjekësore domosdo është e nevojshme të jepet pajtim me vetëdije, të qartë dhe vullnetare në formë të shkruar ose gojore nga pacienti, e dhënë para dy dëshmitarëve në bazë të informacioneve precize dhe në mënyrë të kuptueshme për natyrën, vlefshmërinë, pasojat dhe rreziqet e leksionit, të dhëna nga ana e punëtorit shëndetësor që e përfshin pacientin në leksionin mjekësor.

Pacienti ka të drejtë të jetë i informuar që për të mbahet dosje mjekësore dhe ka të drejtë në këqyrje në atë dosje.

Pacienti ka të drejtë në besueshmëri (fshehtësi) të të dhënave personale dhe mjekësore, të cilat doemos duhet të ruhen në fshehtësi dhe pas vdekjes së tij, në pajtim me dispozitat për mbrojtjen e të dhënave personale.

Pacienti ka të drejtë në kushte që sigurojnë privatësi gjatë intervenimeve mjekësore, ndërsa veçanërisht gjatë ofrimit të kujdesit personal.

Pacienti ka të drejtë vullnetarisht ta braktisë institucionin spitalor shëndetësor, përveç në rastet e përcaktuara me ligj tjetër, si dhe në rastet kur ajo do të ishte e dëmshme për shëndetin e tij ose shëndetin ose sigurinë e personave të tjerë.