/ Lexuar:

573

Administrata dhe gjyqësori të enjten dhe të premten nuk do të punojnë dy orë, kërkojnë pagesën e pagës minimale dhe harmonizimin e saj

Të punësuarit në administratë dhe gjyqësor të enjten dhe të premten do të ndërpresin punën për dy orë, nga ora 10 deri në orën 12, duke kërkuar pagesën e pagës minimale dhe rritjen lineare të pagave të të gjithë të punësuarve për 2.806 denarë.

Do të protestohet në të gjitha institucionet ku Sindikata e PAOGJSH-së ka organizata sindikale siç janë ministritë, agjencitë, fondet, drejtoritë dhe gjyqet.

– Do të ketë ndërprerje të punës. Janë njoftuar edhe Qeveria edhe ministritë, të gjithë punëdhënësit. I lus qytetarët për durim, nuk është shumë, vetëm dy orë, megjithatë ato dy orë mund të rriten dhe të bëhen tetë orë ndërprerje, tha kryetari i Sindikatës së PAOGJSH-së, Tërpe Deanoski në pres-konferencën e sotme.

Në 95 për qind të institucioneve, siç tha ai, paguhet pagë nën pagën minimale, ndërsa në pesë përqindëshin e mbetur, një pjesë nuk e përgatisin pagën, kurse ato që veç më e kanë paguar, kanë bërë gabime dhe kanë paguar vetëm pagë minimale pa stazh.

Deri më tani, nga Qeveria nuk kanë marrë ftesë për bisedime, kurse presioni nga anëtarësia, siç thanë, është i madh dhe kërkohet që ndërprerja e punës të vazhdojë.

– Shpresojmë që Qeveria dhe ata që janë kompetentë do të kenë pak sens dhe do të bëjnë përpjekje që këtë herë të bisedojmë dhe të gjejmë mënyrën për përmbushjen e kërkesave tona, por duket se Qeveria nuk është e interesuar për bisedime me ne, edhe pse këtë e ka premtuar. Ajo për çfarë ne paralajmëruam herën e kaluar u realizua dhe gati në të gjitha institucionet në administratë dhe gjyqësor të punësuarve nuk iu paguhet paga minimale. Nga pesë përqindëshi i mbetur, një pjesë nuk dinë çfarë të bëjnë dhe nuk e përgatisin pagën, kurse ata që janë munduar të paguajnë pagën minimale kanë bërë gabime katastrofale në pagesën e pagës. Prapë të punësuarit në administratë dhe gjyqësor mbeten të vetmit në këtë shtet me pagë nën pagën minimale, tha Deanoski.

Si shembull që institucionet nuk e respektojnë Ligjin për pagë minimale, nga PAOGJSH e japin shembullin me shpalljen e publikuar nga Ministria e Financave për referent arkivist për të cilin vend pune parasheh pagë prej 14.909 denarë që është më e ulët jo vetëm se shuma e tanishme e pagës minimale prej 18.000 denarë, por edhe se shuma e mëparshme e pagës minimale prej 15.142 denarë.